Strategjia e re e gjigantit
Gjiganti financiar BlackRock ka dorëzuar një kërkesë për krijimin e fondit "iShares Bitcoin Managed Protection ETF", i cili do të tregtohet nën simbolin PBIT. Ky fond ofron një qasje specifike investimi, të krijuar për të mbrojtur investitorët nga humbjet e mëdha, por me një kompromis: kufizimin e fitimeve potenciale. Strategjia bazohet në blerjen dhe shitjen e opsioneve mbi IBIT, duke krijuar një "zonë mbrojtëse" që zakonisht kufizon humbjet fillestare në rreth 10 për qind.
Prurje milionshe
Ndërkohë që pritet miratimi i fondit të ri, ETF-i ekzistues i BlackRock për Bitcoin (IBIT) vazhdon të dominojë tregun. Sipas të dhënave nga SoSoValue, IBIT tërhoqi 665.2 milionë dollarë vetëm në një ditë. Është për t'u theksuar se ky ishte i vetmi fond nga 12 ETF-ët e Bitcoin në SHBA që shënoi hyrje neto atë ditë, ndërsa konkurrentët si FBTC i Fidelity dhe GBTC i Grayscale shënuan dalje kapitali.
Çfarë ofron PBIT?
Për dallim nga ETF-ët klasikë, ky fond i ri nuk do të mbajë direkt Bitcoin. Në vend të kësaj, ai do të investojë në opsione dhe mjete të të ardhurave fikse për të krijuar një mekanizëm mbrojtës. Ndonëse në treg ekzistojnë tashmë produkte të ngjashme nga kompani të tjera, analistët theksojnë se hyrja e BlackRock në këtë segment zakonisht shkakton vëmendje të madhe dhe ndryshime të rëndësishme në tregun e kriptomonedhave.


